Donald Lu, ambasadori amerikan që kërkoi të shihte prapa hekurave “peshqit e mëdhenj” të Shqipërisë, largohet nga vendi ynë në dukje pa e realizuar plotësisht dëshirën e tij.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë sqarohet se, të enjten iu dërgua Senatit lista me 7 caktime dhe një tërheqje në nivel diplomatësh, e njeriu që drejtoi misionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të mbajë postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm e të Gjithëpushtetshëm të Amerikës në Republikën e Kirgistanit.

Kreu, me ndikimin ndoshta më të madh në politikën shqiptare i një misioni diplomatik amerikan, është kthyer në sinonimin e deklaratave të forta e të drejtpërdrejta, nxitjes së Reformës në Drejtësi dhe kërkesës për ndëshkime konkrete.

Ishte falë përpjekjeve të tij, që për të parën herë dy zyrtarë të lartë shqiptarë morën atë që konsiderohet një “ndalim publik” nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Mbyllja e këtij mandati nuk nënkupton sidoqoftë fundin e përpjekjeve për të vënë në brazdë një reformë të nisur me aq mundim. Siç e ka pohuar edhe vet diplomati amerikan i karrierës, DASH do të vazhdojë ta ngrejë zërin në mbështetje të sundimit të ligjit dhe zbatimit rrënjësor të reformës së gjyqësorit.

Lu u betua si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri më 17 dhjetor të vitit 2014. Detyrat e tij të mëparshme përfshinin zëvendësshefin e misionit në Indi, Azerbajxhan, si dhe vendi ku po rikthehet tanimë me tjetër pozicion, Kirgistan.

Zyrtari i Shërbimit të Jashtëm me 25 vite eksperiencë pune në shërbim të qeverisë amerikane, edhe në prag të largimit bëri nga emisioni satirik i Top Channel “Portokalli” një premtim, që ndonëse i çliruar nga kornizat zyrtare, tingëllon i fortë edhe në veshët e atyre që s’duan të dëgjojnë. Në “tregun e madh” të shoqërisë shqiptare do të vendoset drejtësi.

* Mesazhi i parë i përcjellë prej tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ishte shqip, e po aq “shqip e troç” ka folur përgjatë të gjithë detyrës së ushtruar në Shqipëri. Ka qenë dhe është nxitësi më i madh i Reformës në Drejtësi dhe i vendosur në qendër të vëmendjes me disa deklarata të drejtpërdrejta në adresë të klasës politike shqiptare dhe gjithë shoqërisë tonë.

Nëse paraardhësi i tij, ambasadori Alexander Arvizu mbahet mend për përdorimin e togfjalëshit “Burrë shteti” për ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit hoqi dorë nga një miting një javë pas 21 Janarit 2011, Donald Lu do të mbahet mend për togfjalëshin “Peshku i madh”.

Është e njohur tashmë deklarata e tij e drejtpërdrejtë gjatë një aktiviteti të organizuar për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku kërkoi që para drejtësisë të përfundojnë “peshqit e mëdhenj”, duke folur edhe me emra konkretë për persona të botës së krimit. Nuk janë fort të largëta ditët e nxehta politike të verës së vitit 2016, kur Donald Lu, i shoqëruar shpesh nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, arritën që të bëjnë bashkë klasën politike dhe të kalojnë me 140 vota në Kuvend paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi.

S’janë të largëta as ditët e vrullshme politike të pranverës së vitit të kaluar, kur Partia Demokratike protestonte në çadër para Kryeministrisë, ai i shoqëruar po nga nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, takohej herë me udhëheqësit e opozitës, herë me të mazhorancës, me misionin kryesor: shpëtimin e zgjedhjeve parlamentare dhe pjesëmarrjen e opozitës në to. Arriti që t’i bëjë bashkë edhe njëherë tjetër politikanët shqiptarë dhe të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Top Channel