Shefi i të drejtave të njeriut në OKB e fshikulloi ashpër Izraelin me deklaratat se shteti hebre përdori një forcë krejtësisht të pabarabartë e të tepruar kundër protestuesve në Gaza, ku vrau me dhjetëra vetë.

Banorët e zonës, për Zeid Raad Al Hussein mbeten praktikisht “si të zënë në kurth, në një lagje toksike”.

Përpara pjesëtarëve të një takimi të mbajtur me urgjencë në Gjenevë, ai deklaroi se pushtimi izraelit i këtij territori duhet të marrë fund.

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara mbështet idenë se militantët islamikë i vendosën qëllimisht protestuesit në pozicione dëmtuese për ta, duke i kthyer gati në mburoja njerëzore.

Zyrtarët e OKB-së nuk i bind shumë ky skenar, e po mendojnë të paraqesin kërkesën për një hetim të pavarur mbi ngjarjen e rëndë. Tubimi i mbiquajtur “Marshimi i madh i rikthimit” u organizua në mbështetje të së drejtës së refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në tokën, nga e cila ata apo paraardhësit e tyre u larguan prej luftës që pasoi krijimin e shtetit të Izraelit.

Qeveria izraelite e ka përjashtuar me kohë mundësinë e një rikthimi masiv të palestinezëve, e pretendon se terroristët kanë dashur t’i përdorin të tilla protesta për të hyrë fshehurazi në territor dhe për të organizuar nga aty sulme.

Zeid është megjithatë i palëkundur në qëndrimin e tij dhe këtë e ilustroi qartë me pohimin se kontrasti i thellë mes viktimave në të dyja krahët tregon fare mirë se çfarë përgjigje disproporcionale i dha shteti hebre tubimit popullor palestinez.

Top Channel