Lokalet e basteve sportive, të cilat i ndesh thuajse çdo 100 metra në rrugët kryesore të Tiranës dhe më dendur akoma në rrugët e lagjeve, përveçse hapen shumë lehtë me investim të drejtpërdrejtë nga kompania, disa prej tyre ushtrojnë aktivitetin edhe pa licencë fare.

Aktualisht në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës janë regjistruar 10 çështje të ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit pa licencë, si dhe një për vënie të lokaleve në dispozicion për këto aktivitete të palicencuara.

Përveç shmangies së detyrimeve financiare, bastet sportive të palicencuara janë një burim i shtuar rreziku i sigurisë publike dhe konflikteve mes njerëzve, pasi kemi të bëjmë me një aktivitet krejtësisht ilegal pa asnjë garanci për shumat që luhen, apo ato që fitohen.

Kodi Penal shqiptar e parashikon ushtrimin pa licence të lojërave të fatit si një kundërvajtje penale duke parashikuar dënime minimale që variojnë nga gjobë, deri në tre muaj burgim. Deri më tani të akuzuarit janë dënuar kryesisht me gjobë.

Top Channel