Takimi i ndërmjetësuar nga Nimetz, Tsipras-Zaev do të takohen më 17 maj në Sofje

12/05/2018 20:29

Lajmi më i rëndësishëm që ka dalë pas takimit prej 6 orësh të dy ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në praninë edhe të negociatorit të posaçëm të OKB-së, Matthew Nimetz, ka qenë se në samitin e lartë të BE-së më 17 maj në Sofje do të takohen dy kryeministrat Tsipras dhe Zaev, për të biseduar për çështjen e emrit të fqinjit verior të Greqisë.

Madje, lajmin e ka dhënë vet negociatori i OKB-së, pasi Kotzias dhe Dimitrov, të cilët janë takuar më shumë se 7 herë në 3 muajt e fundit, nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike.

Burime diplomatike nga të dyja vendet kanë lënë të nënkuptohet se, të dyja palët kanë bërë më shumë hapa pozitive sesa herët e tjera në takimin e fundit, e ky është fillimi për një marrëveshje përfundimtare, që duket sa larg po aq edhe afër, në varësi të negociatave që do të vijojnë.

Përafrimin më të madh deri tani, të dyja palët thuhet se e kanë te gjetja e emrit, ku varianti “Nova Macedonija” besohet se është më i mundshëm sesa të tjerët, por ende nuk bëhet e qartë diagrama se kur do të përdoret brenda dhe jashtë nga Qeveria e Shkupit.

Kjo ka sjellë në plan të parë edhe takimin e dy kryeministrave pas disa ditësh, në mënyrë që të krijohet një bazë kryesore për të ecur me dy kërkesat e tjera kryesore që ka Greqia, për sa i përket ndryshimit të disa neneve në Kushtetutën e shtetit fqinj, pikërisht ato ku përcaktohen kombësia dhe gjuha.

Burimet diplomatike kanë thënë se ka një mundësi që t’i lihet kohë Maqedonisë, që këto ndryshime të pranohen nga opinioni publik dhe nga forcat politike parlamentare, ndaj dhe të dyja palët po punojnë pikërisht për gjetjen e metodologjisë që do të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Top Channel