Partia Social-Demokrate, e përbërë kryesisht nga grupi i deputeteve të shkëputur nga Lëvizja Vetëvendosje do të drejtohet nga Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës.

Ahmeti u zgjodh me shumicë votash si kryetar gjatë Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë Social-Demokrate. Nënkryetar do të jetë Visar Ymeri ndërsa sekretare e përgjithshme Aida Dërguti.

Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë si dhe u mor vendimi që PSD-ja të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN-in para zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Në fjalimin e tij të parë në këtë post, Ahmeti e vuri theksin tek vlerat europiane, që siç tha duhet të instalohen në Kosovë.

Ndërkaq, nënkryetari i sapozgjedhur i partisë, Visar Ymeri e cilësoi këtë si një ditë të madhe për vendin.

“Nga sot, nis një etapë e re në skenën politike të Kosovës’, ishin fjalët e tij. Deri më tani PSD-ja është udhëhequr nga Kaqusha Jashari.

Riformatizimi në PSD po ndodh pas prurjeve të reja në parti, kryesisht të larguarit nga Vetëvendosje. Ahmeti, Ymeri, Dërguti e të tjerë i ndanë rrugët me Vetëvendosjen pas përplasjeve të brendshme.

Top Channel