Bëri shqiponjën me Eugent Bushpepën, mediat greke “kryqëzojnë” Eleni Foureiran

05/05/2018 20:40

Një foto duke bërë simbolin e shqiponjës me duar bashkë me Eugent Bushpepën ka nxitur gjuhën e urrejtjes ndaj Eleni Foureiras, këngëtare me origjinë shqiptare që në Eurovizion do të përfaqësojë Qipron.

Disa portale rajonale dhe të dorës së dytë në Greqi kanë shkruar menjëherë pas kësaj duke “i dhënë” të drejtë deklaratës së këngëtares, e cila tha se për vite me radhë nuk kishte treguar se ishte shqiptare nga frika e paragjykimit.

Tani, gjesti i saj me Eugent Bushpepën interpretohet në Greqi si mbështetje për “Shqipërinë e Madhe.

Në disa media të tjera është ironizuar duke e quajtur “meksikane”, ashtu siç vetë Eleni kishte deklaruar në fillim.

Mirëpo, ashtu si vetë këngëtarja kishte deklaruar që nuk kishte treguar për vite të tëra se ishte shqiptare pasi e paragjykonin, Eleni është paragjykuar ditët e fundit në Greqi duke u akuzuar se është mbështetëse e Shqipërisë së Madhe.

Mediat greke kanë shkruar se shqiptarja, e cila u bë e famshme me paratë e grekëve guxon të bëjë shqiponjën shqiptare me duar.

“Duhet ta dërgojnë shqiptaren në vendin e saj që të bëjë shqiponjën sa të dëshirojë, pasi në Greqi duhet të respektojë historinë e vendit”, thonë mediat greke.

Eleni përfaqëson qipron në Eurovizon, por ka nënshtetësinë greke.

Top Channel