Veliaj në Verona: Projekte të përbashkëta për ndriçimin dhe transportin publik

17/04/2018 12:34

Tirana dhe Verona kanë projekta të përbashkëta në fushën e ndriçimit dhe transportit publik.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Itali, me ftesë të homologut të tij veronez Federico Sboarina, me të cilin diskutoi mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe për pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë në eventin më të madh ndërkombëtar të verës, “VinItaly”.

“Po studiojmë mënyrën se si edhe me ndriçimin e qytetit, edhe me transportin publik, të ecim përpara. Ashtu siç kam premtuar, nëse privatët nuk do modernizojnë flotën e mjeteve, duke i kthyer ato në elektrike, bashkëpunimi me Veronën është prova konkrete që kemi nisur për të zëvendësuar shumë prej linjave private. Ashtu siç bëjmë më mirë pastrimin e qytetit, ashtu do të bëjmë edhe transportin publik”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se tashmë dy qytetet kanë një histori suksesi në pastrimin e qytetit.

“Shumë prej italianëve, por dhe të tjerëve që vijnë në Tiranë, shikojnë një qytet shumë herë më të pastër dhe nuk e besojnë që janë dy ente publike, në Tiranë dhe në Veronë, që bëjnë një punë me shumë cilësi të lartë. Duam që kjo të vazhdojë”, vijoi ai.

Një takim i rëndësishëm i kryetarit Veliaj ishte edhe ai me Luca Zaia, Presidentin e Rajonit të Venetos, një prej zonave më të zhvilluara të Italisë. Duke i cilësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, Veliaj nënvizoi rëndësinë e rritjes së investimeve në fushën e bujqësisë dhe turizmit.

 

Top Channel