Marko Gjuriç, personi që shkaktoi trazirat në Kosovë, të cilat kulmuan me largimin e Listës Serbe nga qeveria, reagoi pas lajmit se Prishtina nisi përpjekjet e zbatimit të marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Ekzekutivi i atjeshëm kërkon që Asociacioni të mos ketë fuqi. Atë film nuk ka për ta parë”, u shpreh zytari i lartë serb.
Institucionet e Kosovës, sipas tij nuk po tregohen të sinqerta mbi afatin e vendosur nga Bashkimi Europian.
E pakënaqur shprehet edhe Lista Serbe. Qeveria dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftuan riaktivizimin e ekipit që do të hartojë Statutin e Asociacionit, i cili do të përbëhet nga 3 mekanizma punues: ekipi menaxhues, komiteti zbatues, si dhe grupi kombëtar konsultativ.
Por, me këtë vendim nuk pajtohet Lista Serbe, e cila thotë se “është po aq pesimiste sa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Prishtina nuk ka vullnet të vërtetë për të zbatuar plotësisht këto marrëveshje dhe krijimin e Asociacionit të Komunave serbe”.
Çështja e Asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve Prishtinë-Beograd për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve.
Autoritetet në Prishtinë thonë se komunat mund të ndihmojnë njëra-tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme. Ndërsa Beogradi këmbëngul që “bashkësia e komunave serbe të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën e flamurin, si dhe përgjegjësi të gjera”.
Ajo duhet të vendosë, sipas tij, për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë pa taksa.
Top Channel