“Darka e Brukselit”, Thaçi takohet me Vuçiç. Mogherini: Të vijohet me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe

23/03/2018 21:47

Mbrëmjen e kësaj të premteje, në Bruksel është zhvilluar takimi i parë për këtë vit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandar Vuçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Koçijançiç publikoi disa foto nga nisja e takimeve. Fillimisht, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini u takua veçmas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas darkës që patën mes tyre, u publikua edhe një deklaratë mbi zhvillimet.

Në takimin e ndërmjetësuar nga Mogherini, dy presidentët Thaçi e Vuçiç biseduan mbi kornizën e fazës së re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ata rishikuan të gjithë progresin e bërë me implementimin e marrëveshjeve të mëparshme, sigurisht edhe nën lupën e punimeve të fundit në Bruksel.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së nënvizoi rëndësinë që blloku europian i jep implementimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për ngritjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, vijimin e marrëveshjes së energjisë dhe procedimin e mëtejshëm të kompletimit të paktit mbi urën e Ibrit në Mitrovicë.

Mogherini mirëpriti gjithashtu angazhimet e vazhdueshme të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e kujtoi se progresi i bërë nga të dyja palët mbi axhendat e tyre të integrimit është vendosmërisht i lidhur me progresin në këtë proces dialogu.

 

FOTO GALERI
1/8

Top Channel