Lëvizjet brenda radhëve të LSI-së vijojnë, sërish drejt mazhorancës socialiste, këtë herë në Shkodër.
Katër anëtare të Këshillit Bashkiak kanë deklaruar bashkimin me PS-në, duke fajësuar atë që e cilësojnë “koalicion antiperëndimor LSI-PD”.
Vet të larguarit, Mirjam Bleta, Sokol Jubica, Elton Radovani dhe Roza Dedvukaj, shpjeguan përpara medieve vendimin e tyre.
“Për fat të keq, LSI dhe PD lanë pas krahëve ëndrrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, duke u investuar në një kthim të fuqishëm kursi nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja. Koalicioni antiperëndimor LSI-PD është kthyer tashmë në një koalicion antishqiptar, që me parà të errëta kërkojnë të vënë në jetë një skenar ogurzi për Shqipërinë. Deklarojmë sot, përfundimisht, largimin nga grupi i këshilltarëve të LSI-së, largimin nga politika antishqiptare e Lulzim Bashës dhe të koalicionit LSI-PD, të bekuar nga qarqet proruse që kërkojnë të marrin peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Mirjam Bleta, këshilltar bashkiak i PS-së, Shkodër.
Nga 10 këshilltarë gjithsej, tashmë LSI-ja mbetet me vetëm 6 në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Këto lëvizje vijnë pas atyre në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Belsh, Skrapar e Kurbin. Beteja për zgjedhjet e ardhshme vendore duket se ka nisur, edhe pse një vit larg tyre, dhe rruga më e zakonshme në këtë kohë është nga LSI-ja drejt PS-së.
Top Channel