Ministri shqiptar i Drejtësisë në qeverinë maqedonase, Bilen Saliji ka dhënë dorëheqjen dhe vendimin e ka argumentuar për shkaqe morale.

Përmes një deklarate për mediat, Saliji thotë se shkak është bërë vendimi i Prokurorisë për të rikualifikuar akuzën në rastin aksidentit që i mori jetën 4-vjeçarit shqiptar, Almir Aliu.

“Një ndër arsyet kryesore për përfshirjen time në politikë dhe sidomos si ministër Drejtësie ishte besimi im se drejtësia ishte shtylla kryesore e një shteti dhe ajo që është më e rëndësishme, drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët”, deklaroi Saliji.

Ai thotë se aktin e dorëheqjes e ndërmerr jo nga dështimi apo presioni, por si një akt ndërgjegjësues edhe më të madh në drejtim të reformave në sistemin e drejtësisë.

4-vjeçari Almir Aliu u përplas me makinë nga maqedonasi Boban Iliçi në Kumanovë pas një konflikt me familjarë të vogëlushit. Prokuroria maqedonase ndryshoi akuzën nga vrasje me dashje dhe e cilëson veprën si aksidentale duke e akuzuar atë për “aksident me pasojë vdekjen”, një akuzë më e zbutur nga e mëparshmja.

Top Channel