Betonizimi i Durrësit, pezullohet drejtori i bashkisë, dha leje për hotel 6-katësh

13/03/2018 19:51

Dhënia e lejeve të reja për betonizimin e bregdetit të Durrësit është vënë nën hetim nga Prokuroria. Gjykata e Durrësit miratoi kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurimit me karakter ndalues “pezullim i ushtrimit të detyrës” për drejtorin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit.

Adhurim Qehajaj akuzohet për shpërdorim detyre, pasi rezulton që në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kompetencave të bashkisë që përfaqëson, në një zonë me rëndësi kombëtare, ka dhënë leje ndërtimi për një hotel 6-katësh në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.

Objekti me sipërfaqe 1517 m2 ndodhet ndërmjet rrugës kombëtare tek “Ura e Dajlanit” dhe bregut të detit dhe vlerësohet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar.

Gjykata e Durrësit vendosi në sekuestro preventive dhe hotelin në ndërtim e truallin, duke urdhëruar pezullimin e punimeve të mëtejshme të hotelit 5-6 katësh dhe me 1 kat nëntokë, në zonën e plazhit. Gjithashtu gjykata vendosi pezullimin e kryerjes së transaksioneve të pasurisë në pronësi të Ndriçim Domit.

Sipas organit të akuzës, leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare për të cilën Këshilli Kombëtar i Territorit është organ kompetent përgjegjës. Vetëm ky këshill mund të miratojë lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare.

Top Channel