Ndryshe nga Lulzim Basha, që kapjen e drogës në Durrës e lexon si kapje të shtetit nga mafia dhe paratë e krimit, Edi Rama e sheh operacionin e fundit si “vendosmëri, gatishmëri dhe aftësi që beteja me krimin po fitohet dita-ditës”.

“Operacioni më i fundit i Policisë së Shtetit, kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shënon një hap të madh përpara të shtetit tonë në përballjen me krimin e organizuar. Kapja e një sasie shumë të konsiderueshme kokaine, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, përmes ndërveprimit mes agjencive tona ligjzbatuese, ka një domethënie të plotë për vendosmërinë, gatishmërinë dhe aftësinë që po fitojmë dita-ditës në këtë përballje. Por padyshim shumë domethënëse, edhe për integritetin e strukturave tona ligjzbatuese. Të cilat në rastin konkret kanë sekuestruar drogë të fortë me një vlerë 180 milionë euro, nëse do të dilte në tregun europian për ku ishte e destinuar”, shkruan në Facebook Kryeministri.

Rama thotë se operacioni i zhvilluar i gjithë në territorin shqiptar dhe pa sinjalizim nga vendet europiane, tregon forcën ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore.

“Puna e madhe që është bërë për të vendosur nën një kontroll rigoroz pikat doganore, duke filluar nga porti i Durrësit, ku edhe është krijuar një rrjetë efikase kontrolli mbi bazë risku, ka dhënë rezultate të vazhdueshme në aspektin doganor, por në këtë rast ka mundësuar edhe zanafillën e këtij operacioni spektakolar. Po ashtu, me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore. I menjëhershëm dhe efikas ka qenë edhe ndërveprimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda, çka ka siguruar përfundimin me sukses të plotë të operacionit. Përgëzime të mëdha për të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion dhe për mesazhin e qartë që ky rezultat shembullor i luftës kundër krimit të organizuar u jep të gjithëve!”, thotë ndër të tjera kreu i Qeverisë.

Top Channel