Gjykata lë në burg “grabitësit” e Spillesë; biznesmeni Karkini, në kërkim

23/02/2018 20:51

Gjykata e Kavajës ka pranuar kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë për grupin e personave të përfshirë në falsifikimin e dokumentacionit dhe tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë.

Për gjashtë të akuzuarit për skandalin e pronave në këtë zonë, ku ndër të tjera është tjetërsuar edhe një pjesë e prone që i përket Ministrisë së Mbrojtjes, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Konkretisht për Asim Arkaxhiu, Ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë, Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë, Idlir Karkini, biznesmen, Shpendi Dema, Juristi Bashkia Rrogozhinë, Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë dhe Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, ashtu siç kishte kërkuar prokuroria.

Për të gjithë të ndaluarit masa u zbatua menjëherë, përveç biznesmenit që ka përfituar këto prona, Ilir Karkinit. Karkini nuk është ndaluar ende nga Policia dhe mësohet se ai është larguar nga vendi pak para se të shpërthente ky skandal.

Ndërkohë, për kreun e Bashkisë së Rrogozhinës, Gjykata caktoi masën e sigurisë ndalimi i daljes jashtë shtetit. Noteri Julian Zhelegu u la në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitjeje për Arben Kajën, specialist IMTV në Bashkinë e Rrogozhinës.

Ndaj Arbër Aliut, noterit tjetër të përfshirë në këtë aferë gjykata vendosi pezullimin me 3 muaj nga ushtrimi i detyrës.

Top Channel