Beteja e celularëve, vendimi për tarifat shtyhet me dy muaj, AKEP shpjegon pozicionin e vet

23/02/2018 15:06

Shumë shpejt mund të paguajmë tarifa të ndryshme për telefonatat nga celularët tanë, nëse autoriteti që rregullon komunikimet elektronike në vend, AKEP-i, do të marrë një vendim në favor të Albtelecomit.

Vendimi është shtyrë me dy muaj, për t’u konsultuar gjatë kësaj kohe me grupet e interesit. Projektvendimi parashikon që kompania Albtelecom të përdorë tarifa të diferencuara për abonentët e saj brenda rrjetit të vet dhe në raport me rrjetet e tjera. Pra, nëse komunikimet brenda rrjetit Albtelecom do të kushtojnë më lirë, kompania mund t’u ofrojë abonentëve të vet më shumë kohë bisede me njëri-tjetrin, por edhe tarifa më të lira drejt rrjeteve Vodafone dhe Telekom.

Ndërkohë që prej vitit 2015, të detyruara po nga AKEP-i, kompanitë celulare përdorin tarifa të njëjta si për bisedat brenda rrjetit edhe për bisedat me rrjetet e tjera, me argumentin e mosdiskriminit të konsumatoreve.

Ndaj, sot kur AKEP-i ka një projekt të ndryshëm, dy kompanitë e tjera celulare Vodafone dhe Telekom janë kundër.

Në fakt, dy kompanitë kanë edhe numrin më të lartë të abonentëve. Sipas të dhënave më të fundit, në tremujorin e tretë të vitit të kaluar Vodafone kishte gati 1 milionë e gjysmë abonentë, Telekom Albania mbi 1 milion e 200 mijë dhe Albtelecom rreth 500 mijë.

Tani që kompania Plus nuk ekziston më, rreth 200 mijë përdoruesit e saj janë shpërndarë te kompanitë e tjera. Në kushtet kur Albtelecom ka gati 1/3 e abonentëve të dy kompanive të mëdha, Ilir Zela kryetar i AKEP thotë se vendimmarrja pritet të ndihmojë konsumatorët.

“Detyrimet që mund të vendosen ndaj një operatori që ka fuqi të ndjeshme në treg nuk mund të jenë të njëjta me detyrimet e një operatori që nuk e ka një fuqi të tillë. Në çfarëdo lloj rasti që do ndikohen shërbimet që klientët përfitojnë do të përmiresohen dhe gjendja e tyre do të përmiresohet dhe nuk mund të përkeqësohet”, tha Ilir Zela.

Mirëpo kompanitë e mëdha tjera nuk e pranojnë këtë: Telekom Albania thotë se projekt vendimi favorizon dukshëm kompaninë Albtelecom, kurse Vodafone thotë se në asnjë rast nuk do të pranojë asnjë vendim qe nuk është në përputhje të plotë me ligjet e Bashkimit evropian dhe ato shqiptare.

Në përgjigje të ankesës së dy kompanive, AKEP-i pranoi të shtyjë vendimin, për t’u konsultuar me grupet e interesit ashtu siç e kërkon edhe ligji. Ndaj do të duhet të presim dy muaj, deri sa të mësojmë vendimin. Por beteja e celularëve sapo ka nisur.

Top Channel