Siri, vijojnë bombardimet në enklavën rebele. Rriten viktimat mes civilëve

22/02/2018 18:59

Forcat qeveritare siriane kanë vijuar me valën e sulmeve ajrore dhe përdorimin e artilerisë së rëndë në rajonin e rrethuar nën kontrollin e rebelëve, Ghoutën lindore. Sulmet e fundit kanë lënë të paktën 33 civilë të vdekur, sipas shifrave të grupit monitorues me seli në Londër, duke e çuar në 382 numrin e viktimave që prej së dielës së kaluar.

Kombet e Bashkuara theksojnë se rreth 393 mijë njerëz janë bllokuar në këtë rajon të mbërthyer nga dhuna ekstreme, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork pritet të mblidhet për të diskutuar një projektrezolutë që bën thirrje për një paqe mbarëkombëtare 30-ditore. Por kjo pritet të hasë në pengesën ruse, aleatët më të mëdhenj të qeverisë siriane, përmes vetos në këtë këshill.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se do të konsideronte miratimin e projektrezolutës, nëse paqja nuk përfshin grupet xhihadiste të Shtetit Islamik dhe Hayat Tahrir al-Sham, një aleancë e lidhur me al-Qaeën që ka një prani të theksuar në Ghoutën lindore.

Lavrov shtoi se kërkon të përjashtojë gjithashtu edhe grupet rebele në këtë enklavë, të cilët sipas tij janë duke “bashkëpunuar” me Hayat Tahrir al-Sham, duke bombarduar zonat më të afërta të kontrolluara nga forcat qeveritare.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, grupi me seli në Britani, tha se reshjet e dendura të shiut duket të kenë mbajtur avionët sirianë larg Ghoutës lindore gjatë mëngjesit të kësaj të enjteje, por ato janë rikthyer pas mesdite, kur moti duket se u përmirësua disi.

Top Channel