Prokurori special, akuza ndaj avokatit të konsulentit të Trumpit

20/02/2018 17:52

Prokurori special, Robert Mueller ka ngritur një aktpadi ndaj një avokati që ka mashtruar hetuesit në lidhje me ndërveprimin e tij me ish-ndihmësin e fushatës së Trumpit, Rick Gates, në shtator të vitit 2016.

Paraqitja e aktpadisë është një dëshmi e mëtejshme e hetimit të Mueller ndaj ish-kreut të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, vet Gates dhe punës së tyre për klientët aleatë të Rusisë.

Alex Van Der Zwaan, i cili pritet të pranojë fajësinë pasditen e kësaj të marte, akuzohet gjithashtu se ka gënjyer mbi dështimin e tij për t’i dorëzuar një komunikim “e-mail”-i zyrës së prokurorit special. Në të, ai ka folur me hetuesit mbi punën e tij me firmën ndërkombëtare ligjore “Skadden Arps” në vitin 2012, kur Manaford ndikoi që firma të kontraktohej nga ministri ukrainas i Drejtësisë për të përgatitur një raport mbi gjyqin e Yulia Tymoshenkos.

Ajo është një prej politikaneve kryesore rivale të ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, i cili kishte emëruar Manafortin dhe Gates si konsulentë politike për më shumë se një dekadë. Pasi Yanukovych mposhti ngushtësisht Tymoshenkon në zgjedhjet presidenciale të vitit 2010, ajo u burgos me akuza për korrupsion, gjë që u konsiderua gjerësisht si sulm me motive politike.

“Skadden” hartoi më pas një raport që doli në konkluzionin se procesi ishte i ligjshëm. Ajo u lirua menjëherë pas rrëzimit të Yanukovych në vitin 2014.

Akuza penale e prokurorëve shpjegon sesi Van Der Zwaan foli me Gates dhe një person të paidentifikuar në shtator të vitit 2016 mbi raportin ukrainas dhe regjistroi telefonatat. Asokohe, Gates ishte ende duke punuar për fushatën e Trumpit.

Aktpadia thekson gjithashtu se, ai pretendonte se kishte shkëmbyer një “mesazh të padëmshëm” me Gates rreth mesit të gushtit të vitit 2016, e thoshte duke gënjyer se ai ishte ndërveprimi i fundit mes tyre. Rreth asaj kohe, Manaford ishte në qendër të vëmendjes për punën që ai dhe Gates kishin kryer në Ukrainë.

“New York Times” raporton se dokumentet sekrete të zbuluara në Ukrainë listojnë miliona dollarë pagesa të paligjshme në drejtim të Manafortit. Ndërsa CNN raporton se firma lobuese e Manafortit ka qenë nën mbikëqyrje të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë.

Disa ditë pas këtyre raportimeve rreth mesit të gushtit të 2016-s, Manafort dha dorëheqjen nga fushata e presidentit Trump. Gates fshiu gjithashtu, e më pas dështoi të raportonte “e-mail”-et që kishte shkëmbyer me personin e paidentifikuar në shtator, thuhet më tej në dokumentin e akuzës.

Nga dokumenti nuk ka asnjë të dhënë se Van Der Zwaan ka qenë në kontakt me Gates në lidhje me punën si këshilltar politik në zgjedhje, megjithatë aktakuza është prova e parë që prokurorët kanë kërkuar, e me shumë mundësi kanë marrë edhe “e-mail”-e dhe regjistrime telefonatash, mbi ndërveprimet e Gates teksa punonte për Trumpin.

Akuza të tjera me të cilat Gates përballet në gjykatën federale përfshijnë aktivitete gjatë punës së tij në Ukrainë me Manafortin gjatë viteve përpara se të punësoheshin në fushatën e Trumpit.

I pyetur mbi akuzën, zv.sekretari për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Raj Shah tha për “Fox News” se zhvillimi nuk ka lidhje me veprimet e presidentit Donald Trump dhe “vetëm sa përforcon pikëpamjen tonë në lidhje me hetimin e prokurorit special… se nuk ka asnjë provë bashkëpunimi, pasi nuk ka ekzistuar diçka e tillë”.

Top Channel