Bashkimi Europian u tha të premten përfaqësuesve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë anëtarësinë, se duhet të implementojnë reforma të vështira para se të lejohen t’i bashkohen bllokut të pasur.

E shqetësuar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, BE-ja ka ndërmarrë një fushatë të re integrimi, duke i dhënë Serbisë dhe Malit të Zi një datë të mundshme për anëtarësim në vitin 2025.

Por, shumë anëtarë të BE-së vazhdojnë të hezitojnë për të lënë një rajon, ku ende janë të gjalla plagët e luftrave në linja etnike të viteve ’90 dhe të shenjuar nga reputacioni aspak i mirë në fushën e respektimit të ligjit.

Ata thonë se kandidatët, që përfshijnë edhe Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjen, duhet të përmirësojnë kredencialet e tyre demokratike dhe të çrrënjosin korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Të gjithë e pranojnë se ka kushte që duhen plotësuar, se cilësia vjen para shpejtësisë”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Zgjerimin.

Komisioneri Hahn i bëri këto komente në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bullgari, vendin që ka edhe Presidencën e radhës së bllokut.

Gjermania kryeson kampin e skeptikëve, duke përmendur problemet e vazhdueshme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit, në vendet që i janë bashkuar BE-së që prej vitit 2004, mes të cilave Polonia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria.

Po ashtu, mosmarrëveshjet rajonale pengojnë procesin e anëtarësimit me Serbinë dhe disa shtete anëtare të BE-së që refuzojnë të njohin Pavarësinë e Kosovës, por edhe Maqedoninë e përfshirë në mosmarrëveshjen e hershme për emrin me fqinjin e saj jugor, Greqinë.

Top Channel