Ish-presidenti gjeorgjian, i shndërruar në udhëheqës i opozitës ukrainase, Mikhail Saakashvili është deportuar në Poloni, pasi ishte arrestuar nga një grup oficerësh sigurie të armatosur në një restorant në Kiev.

Shërbimi kufitar polak konfirmoi se Ssakashvili kishte hyrë në vend dhe Varshava e kishte lejuar të hynte.

Pamje të kamerave të sigurisë, të postuara në faqen e Facebookut të Saakashvilit, tregonin politikanin që merrej nga një restorant në qendër të Kievit nga oficerë sigurie, të veshur civilë.

“Ky person ndodhej në territor ukrainas ilegalisht, ndaj në përputhje me procedurat ligjore është kthyer në vendin nga ku kishte hyrë”, tha një zëdhënës i Shërbimit Kufitar ukrainas.

Vet Saakashvili, në një deklaratë denonconte presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

“Ky nuk është president, nuk është burrë. Është një gjallesë që dëshiron të rrënojë Ukrainën. E gjithë kjo tregon sesa i dobët është ai. Ne duhet ta mundim”, thotë ai.

Ish-presidenti gjeorgjian, Saakashvili ka qenë një mbështetës entuziast i revolucionit të viteve 2013-2014 në Ukrainë dhe ishte emëruar nga Poroshenko si guvernator i rajonit të Odesës në vitin 2015. Ai u dorëhoq nga posti në nëntor të 2016-s, në shenjë proteste ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet dhe u bë një kritik i ashpër i qeverisë.

Vitin e kaluar, Saakashvilit iu hoq shtetësia ukrainase, ndërsa ai ndodhej në Shtetet e Bashkuara. Ai u rikthye në Ukrainë përmes Polonisë në shtator, duke premtuar se do të përballej me Poroshenkon.

Saakashvili është në kërkim në Gjeorgji, ku akuzohet për shpërdorim fondesh, ndërkohë që akuzat i konsideron të motivuara politikisht. Ai thotë se ka hequr dorë nga shtetësia gjeorgjiane, ndërkohë që përballet me akuza kriminale edhe në Ukrainë, ku akuzohet për ndihmën e një organizate kriminale, që sipas tij është një akuzë e fabrikuar, e që synon të dëmtojë përpjekjet e tij për të rrëzuar Poroshenkon.

Top Channel