Qeveria amerikane, pa buxhet. Senati, seancë të jashtëzakonshme

21/01/2018 12:19

Senati amerikan do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme në përpjekje për t’i dhënë fund bllokimit të buxhetit përpara fillimit të javës së punës, kur mbyllja e shumë shërbimeve federale do të ndihet në mbarë vendin.

Qindra mijëra punonjës federalë përballen me mundësinë e pushimit të papaguar. Të shtunën, të dyja palët shkëmbyen akuza të ashpra lidhur me dështimin e Dhomës së Lartë të Kongresit për të kaluar buxhetin e ri dhe parandaluar mbylljen e qeverisë federale.

Projektiligji mbi financimin e saj për javët e ardhshme nuk mori dot 60 votat e kërkuara deri të premten. Tani, udhëheqësi republikan i Senatit amerikan, Mitch McConnell thotë se do të votohet mëngjesin e së hënës, në 01:00 sipas orës lokale, me shpresën se këtë herë nisma legjislative mbi financimin e qeverise deri më 8 shkurt do të arrijë ta marrë “dritën jeshile”.

Ligjvënësit amerikanë vazhdojnë të kenë kundërshti mbi një sërë çështjesh, duke nisur nga shpenzimet për mbrojtjen, e deri tek emigracioni, pjesë e të cilit është edhe fati i 800 mijë personave pa dokumente të dërguar në Shtetet e Bashkuara që fëmijë.

Udhëheqësi i pakicës, senatori demokrat Chuck Schumer e akuzoi presidentin Donald Trump për hedhjen poshtë të programit “DACA”, si dhe për shpenzimet e mëdha qeveritare. Ai u shpreh se kishte pranuar të diskutohej në këmbim çështja e murit, për të cilën shumë demokratë nuk duan të dëgjojnë të flitet, por sipas Schumerit, as kjo nuk mjaftoi për ta bërë presidentin të arrinte një ujdi.

Trump, nga ana e tij i akuzoi demokratët se janë më të shqetësuar për emigrantët e paligjshëm, sesa për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara apo sigurinë e kufirit jugor të vendit. Mbyllja e fundit e qeverisë amerikane ishte në vitin 2013, e zgjati 16 ditë.

Top Channel