Homazh për Dolores. Solistja e “The Cranberries” ishte në “Top Select”

16/01/2018 15:28

Policia nuk po e trajton si të dyshimtë vdekjen e këngëtares së grupit të famshëm “The Cranberries”. Shuarja e Dolores O’Riordan në moshën 46-vjeçare shkaktoi tronditje të thellë, por deri më tani, pyetja që mundon fansat e saj dhe jo vetëm ata “Çfarë ndodhi?” nuk e ka një përgjigje.

Depresioni e kishte munduar Doloresin pothuajse përgjatë të gjithë karrierës së saj, por ata që kishin folur me këngëtaren irlandeze vetëm pak përpara se të mësohej lajmi i kobshëm, thonë se dukej e kënaqur e madje kishte bërë shaka në telefon.

Fotoja e fundit e 46-vjeçares ishte ajo që postoi i dashuri i vet muzikant në Instagram përpara dy javësh, e aty dukej mjaft e qetë. Zëri i veçantë e i fuqishëm i saj do të pushtonte muzikën e viteve ’90 me hitet “Zombie”, mbi luftën në Irlandën e Veriut, “Just My Imagination”, apo “Animal Instinct”.

“The Cranberries” kanë shitur më shumë se 40 milionë albume në mbarë botën dhe ai me titullin “No Need to Argue” është klasifikuar në vend të parë në Australi, Francë e Gjermani, e në vendin e 6 në SHBA.

Por në vitin 2003, “Cranberries”, që u krijuan në Limerick, vendosën të bënin një pushim për t’u rikthyer një vit më parë me albumin “Something Else”.

13 qershorin e vitit 2007, Dolores O’Riordan dha një koncert në Tiranë, e pikërisht një foto të shkrepur aty përdori edhe agjencia e lajmeve “Reuters” për të mbuluar lajmin e vdekjes së saj. Këngëtarja ishte asokohe e ftuar e emisionit “Top Select” në Top Channel, ku dha përshtypjet e saj mbi këtë ndalesë.

Top Channel