Alarmi për një rakete balistike, që shkaktoi panik mes banoreve të Hauait ditën e shtunë, rezultoi të ishte i rremë. Përdoruesit e celulareve morën një mesazh që i paralajmëronte ata për kërcënimin e një rakete balistike duke i udhëzuar të strehoheshin menjëherë në një vend të sigurt.

Guvernatori David Ige kerkoi falje duke thënë se alarmi ishte shkaktuar nga një punonjës që kishte shtypur butonin e gabuar. Sipas tij gabimi njerëzor kishte ndodhur gjatë ndryshimit të turnit. Por incidenti është i pafalshëm për qeverinë amerikane, e cila njoftoi se do të niste një hetim lidhur me ngjarjen.

Një sistem alarmi për sulme bërthamore është operacional në Hauai për shkak të afërsisë së mundshme të shtetit me raketat koreano-veriore.

Para pak kohësh autoritetet testuan sirenat e alarmit për sulme nukleare, për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë. Përveçse në celularë, alarmi i rremë u pasqyrua edhe në kanalet televizive e radiofonike.

Transmetimet televizive u ndërprenë për të nxjerre një mesazh emergjence të regjistruar që udhëzonte njerëzit të qëndronin në shtëpi. Banorët e shtetit amerikan ndërkohë po ndajnë në rrjetet sociale friken e përjetuar dhe mesazhet që shkëmbyen me të dashurit e tyre.

Video të postuara në internet tregojnë studentët e universitetit të Hauit teksa vraponin për të gjetur një strehë.

Top Channel