Punonjësit e shtetit që nuk kanë kontrata të rregullta me ujësjellësat ose kanë borxhe të papaguara ndaj tyre do të detyrohen të shlyejnë të gjitha pagesat.

Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër, i cili detyron të gjitha institucionet publike dhe nëpunësit publikë të shlyejnë faturat e ujit, përmes një skeme të ngjashme me atë që u zbatua për detyrimet e energjisë elektrike.

Sipas urdhërit, çdo institucion publik do të verifikohet nëse kontratë të rregullt furnizimi me ujësjellësat apo borxhe të pashlyera ndaj tyre. Ato institucione që nuk kanë kontratë, brenda 30 ditësh do të detyrohen të lidhin kontratat e rregullta, ndërsa nëse kanë borxhe do të nënshkruajnë me ujësjellësin marrëveshjen marrëveshjen për shlyerjen e tyre.

Pas institucioneve, do të skanohen edhe punonjësit. Sipas urdhrit cdo punonjës në shtet do të detyrohet të paraqesë pranë institucionit ku punon kontratën e furnizimit me ujë. Këto kontrata pastaj do të verifikohen me shoqërinë përkatëse të ujësjellësit dhe punonjësit që rezultojnë se kanë fatura të papaguara do të detyrohen të lidhin menjëherë marrëveshjen për shlyerjen e detyrimeve.

Qeveria nuk ka bërë publike një shifër për borxhet e pambledhura të ujësjellësave. Por sipas të dhënave zyrtare, aktualisht vetëm një e treta e ujit që hidhet në rrjet paguhet. Një muaj më parë qeveria lajmëroi një aksion të gjerë kundër informalitetit në këtë sektor duke deklaruar se brenda vitit të ardhshëm të gjithë konsumatorët do të pajisen me kontrata të rregullta të furnizimit me ujë.

 

Top Channel