Ka nisur në Pogradec mbledhja e përbashkët e dy qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama ka shprehur vendosmërinë e përbashkët të dy vendeve për të kontribuar në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga çdo pikëpamjes.

“Ne i kemi rigjallëruar intensivisht kontaktet dhe marrëdhëniet. Përpos vizitave dhe takimeve të shumta dypalëshe që nga samiti i Triestes, takimi në Durrës me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, së fundmi ai në Sofje, kemi ndarë angazhimin dhe vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga pikëpamja ekonomike, infrastukturore pabarriera të çfarëdollojshme në qarkullimin e kapitalit, të njerëzve dhe ideve. Besoj se për këto dhe shumë arsye të tjera ky takim mund të konsiderohet si një moment kyç në historinë tonë të përbashkët, për faktin se sot jemi këtu për të marrë një angazhim të përbashkët në ndërtimin e nëj mekanizmi të qëndrueshëm afatgjatë dhe për t’i ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve me një stad të ri cilësor. Kjo kërkon një orientim të posaçëm strategjik, prandaj dhe axhenda e punës që kemi përcaktuar bashkarisht dhe që gjen shprehje në deklaratën e përbashkët, kanë qasje konkrete, përmbajtësore dhe synon rezultate”, tha Rama.

Ai foli për një pikë të përbashkët kalimi dhe dogane në kufirin e Qafë Thanës, përkrahjen e ndërsjelltë për nxitjen e lehtësimit të import-eksportit mes palëve etj. Me rëndësi për Ramën është dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike.

 

Top Channel