Vijon shpërndarja e ushqimeve, Veliaj: Pas Tiranës, solidaritet edhe me Fierin dhe Vlorën

03/12/2017 15:12

Bashkia e Tiranës dhe rrjeti i vullnetarëve vijuan shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë në zonat e prekura nga vështirësitë e shkaktuara si rrjedhojë e shirave të dendur të ranë gjatë ditëve të fundit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe vullnetarët e rinj shpërndanë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për banorët e zonës së Sharrës në Kombinat. Ai u shpreh mirënjohës për gjithë skuadrat e vullnetarëve që janë shpërndarë në çdo cep të Tiranës për të shpërndarë ndihma për çdo familje në nevojë.

Ndërsa zonat urbane për shkak të investimeve afatgjata nuk pati probleme nga shirat, kryebashkiaku theksoi se vëmendja e Bashkisë së Tiranës në këto ditë është përqendruar kryesisht në zonat rurale, ku ka patur rrëshqitje dherash apo probleme me transportin.

Veliaj theksoi faktin se edhe kësaj here Tirana u tregua solidare, duke iu përgjigjur nevojave që ka qyteti në këto momente.

“Dua të falenderoj jo vetëm vullnetarët që kanë qenë në çdo cep të Tiranës, por edhe bujarinë e paimagjinueshme të sipërmarrjeve të Tiranës dhe familjeve tiranase. Unë besoj se një qytet, sado i madh që të jetë, si Tirana, sado probleme të ketë, mbahet fort i lidhur kur ka raste të tilla fatkeqësish, ku njerëzit bëhen solidarë edhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Në qoftë se ka biznese që ende duan të kontribuojnë, tani që pothuajse kemi mbaruar me ndihma në Tiranë kemi mundësi të shprehim solidaritet edhe për Fierin, edhe për Vlorën, dhe ku të ketë nevoja të tjera, duke çuar paketa ushqimore dhe veshmbathje nga Tirana”, tha Veliaj.

Top Channel