Superiore, Vllaznia mposht 2-1 Lushnjen në duelin e mbijetesës

22/11/2017 15:54

Ndeshja e prapambetur e javës së 10 të Kategorisë Superiore, ajo mes Vllaznisë dhe Lushnjes, dy skuadra që mbanin përpara kësaj sfide dy vendet e fundit të renditjes, ka përfunduar me fitoren e ngushtë 2-1 të shkodranëve përballë lushnjarëve.

Edhe pse jemi vetëm në fillim të fazës së dytë, ky takim është kthyer në një duel mbijetese për të dyja këto skuadra me tradita në futbollin shqiptar.

Kuqeblutë arritën të merrnin maksimumin nga ky takim, falë dy golave të shënuar që në pjesën e parë, me autorë Gilman Likën dhe Olsi Gocajn, me këtë të fundit që shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Në pjesën e dytë të përballjes, Lushnja u rifut në lojë pas golit të shënuar nga Meto në minutën e 59, por nga këtu e në vijim nuk do të ndryshonte asgjë sa i përket fateve të ndeshjes. Ndeshja është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, i cili pak javë më parë ishte mbyllur për punime.

Tashmë Vllaznia e sheh veten jashtë zonës së ftohtë të rënies nga kategoria, në kuotën e 9 pikëve në 11 takime, edhe pse po kaq pikë ka edhe Luftëtari i Gjirokastrës, por me golavarazh më të dobët sesa shkodranët. Klasifikimi mbyllet nga Lushnja me vetëm 5 pikë në 11 ndeshje. Javën e ardhshme, Vllaznia do të presë Luftëtarin në një tjetër duel për mbijetesë, ndërsa Lushnja do të udhëtojë drejt Kamzës, surprizës së këtij edicioni të Superiores.

Top Channel