Vit pas viti, dëshmitë e tmerreve të luftës së Bosnjes kanë pasuar njëra-tjetrën. Për dy dekada, zyrtarë e reporterë regjistruan dhimbjen e atyre që mbijetuan, duke humbur shumë.

Janë dëshmi grash e burrash, njerëz që dolën gjallë nga konflikti i përgjakshëm trevjeçar, por që filli i jetës, praktikisht iu këput aty. Në sytë e tyre, njeriu që drejtoi forcat serbo-boshnjake në fushatën e vdekjes, gjenerali Ratko Mladiç është projeksioni i së keqes, i ligësisë së paramenduar e të përgatitur për t’i hapur rrugën gjenocidit, një simbol i sistemit që shfarosi e sërish tentoi t’i fshihte gjurmët e krimeve të tij, të cilat vazhdon t’i mbulojë me dheun e varreve masive anembanë Bosnje-Hercegovinës.

Por nënat që mblodhën eshtrat e fëmijëve të tyre, duke folur me ato skelete sikur të ishin të gjallë, kanë vetëm një të vërtetë për të rrëfyer. Mladiç është ndoshta vrasësi më i famshëm në masë i botës ende në jete, sipas “Der Spiegel”.

Ratko Mladiç lindi marsin e vitit 1942 në fshatin Bozinoviç, rreth 50 km në jug të Sarajevës, në një rajon idilik të banuar nga fermerë të varfër, e ku thuhet se Hitleri ishte stacionuar dikur si ushtar.

Babai, partizan i Titos, u vra nga milicët fashistë kur ai ishte 2 vjeç. Ish-kolegët e ushtrisë kujtojnë sesi në rininë e vet, Mladiç ishte një lloj “supermeni” boshnjak, i zoti në çdo gjë: not, zhytje, vrap; i pari në qitje dhe një komunist i vendosur që i ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës.

Pas shkëputjes së Sllovenisë e Kroacisë nga Jugosllavia në vitin 1991, u urdhërua të drejtonte rebelimin serb në rajonin kroat të Krajinës. Kur Slobodan Milosheviç pati nevojë për dikë që të zbatonte politikat e tij të luftës në Bosnje, zgjodhi Mladiçin, asokohe 49 vjeç, dhe ushtaraku i bindur u shpërblye me postin e shefit të Shtabit të Ushtrisë serbo-boshnjake.

Që nga ai moment nuk u kthye më pas. Gjatë rrethimit më shumë se 3-vjeçar të Sarajevës, ku vdiqën rreth 14 mijë vetë, i udhëzonte personalisht snajperistët si të qellonin mbi civilët. Ishte një nga organizatorët e “Masakrës së Srebrenicës”, ku 8.000 djem dhe burra myslimanë u vranë me gjakftohtësi, në një zonë që duhej të ishte nën mbrojtjen e OKB-së.

“Fjala ‘njeri’ nuk përdoret dot për Mladiçin”, pati thënë dikur gjenerali i tërhequr prej ushtrisë boshnjake, Jovan Divjak, ndërsa ish-ambasadori amerikan në Jugosllavi e përshkruante si Heinrich Himmlerin e gjeneratës së vet.

Por për shumë serbë, ky njeri vazhdon të mbetet një hero e të konsiderohet si një nga të paktët udhëheqës, të cilët nuk e përdorën luftën që teënxirrnin fitime personale. Për pjesën tjetër, ama, nacionalisti i tërbuar që e shihte veten si hakmarrësin e serbëve për sundimin qindravjeçar të turqve në Ballkan, edhe kalbjen në burg e ka pak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA