Trump tërhiqet për elefantët, tentoi të hiqte ndalimet

18/11/2017 14:10

Indinjata e menjëhershme publike e detyroi presidentin Donald Trump të tërheqë vendimin e marrë nga administrata e tij të premten, për të lehtësuar ndalimin e importit të trofeve të siguruara nga gjuetia e elefantëve.

Një masë e tillë ishte aplikuar në kohën e Barack Obamës, e ashtu si me shumë nisma të tjera të paraardhësit të vet, shefi i Shtëpisë së Bardhë tentoi ta rrëzonte edhe këtë dekret.

Por zemërimi i aktivistëve në mbrojtje të kafshëve duket e ka shtyrë të ndryshojë mendim. Trump shkroi në “Twitter” se rregulli aktual do të vazhdojë të mbetet në fuqi, deri në rishikimin e plotë të të gjitha të dhënave.

Brigitte Bardot ishte një prej zërave që u ngritën me forcë ndaj presidentit republikan. “Veprimet tuaja të turpshme, – shkroi aktorja e famshme franceze në letrën e dërguar Trumpit, – konfirmojnë spekulimet se nuk jeni i përshtatshëm për të mbajtur këtë post”.

Protesta u shpërnda edhe në rrjetet sociale, shumë përdorues të të cilave shpërndanë fotografi të djemve të presidentit Trump duke pozuar me kafshë të vrara gjatë udhëtimeve të tyre të gjuetisë në Afrikë.

Një prej fotove tregon djalin e madh e të Trumpit, Donald Trump Jr., që mban në duar bishtin e prerë të një elefanti të ngordhur. Sipas ekspertëve, nga viti 2007 deri në 2014-n, numri i elefantëve afrikanë është ulur me 30%.

Top Channel