Trendi i ri… “Jemi çift, por jetojmë të ndarë”

14/11/2017 11:52

Deri disa vite më parë më së shumti mes çifteve diskutohej për martesë ose bashkëjetesë, kohët e fundit po përhapet një tjetër lloj lidhjeje. Tashmë mund të zgjedhësh të jesh çift pa qenë nevoja të bashkëjetosh dhe kjo cilësohet si lidhje “lat” ose e thënë ndryshe “living apart together”.

Sipas një studimi amerikan 3 në 20 çifte mes moshës 19 dhe 59 vjeç zgjedhin një lidhje të tillë. Target grupi më i prirur drejt kësaj marrëdhënieje janë moshat nga 30 në 40, të ndjekur nga 40-50 vjeçarët. Këto lloj çiftesh janë gjithnjë në rritje edhe mes 60 dhe 70 vjeçarëve.

Burrat në fakt preferojnë të martohen dhe të rimartohen, ndërsa gratë, të lidhura me karrierën dhe përgjegjësinë e shtëpisë janë më të prirura të zgjedhin marrëdhënien në distancë, sidomos nëse një histori e gjatë e mëparshme ka dështuar. Largësia mes partnerëve mund të jetë me disa kilometra në rastet kur ua kërkon puna, apo edhe vetëm disa metra larg, nëse jetohet në të njëjtin qytet.

Ky është një fenomen i përhapur edhe në vendet Europiane, e madje ka jo pak çifte edhe në Shqipëri që bëjnë një zgjedhje të tillë, ndonëse në një mënyrë pak diskrete. Kjo formë e re tregon dëshirën për autonomi, për karrierë, apo ka të bëjë me dëshirën për një marrëdhënie intime dhe afektive të qëndrueshme.

Secili nga partnerët “lat” jeton në shtëpinë e tij dhe ruan pavarësinë e tij të përditshme, pa praninë e vazhdueshme të tjetrit. Në disa raste, ata që kanë një lidhje të tillë, mund të vijnë nga një bashkëjetese e dështuar, nga një divorc, nga probleme të vetat personale apo të punës ose tjesht janë persona që nuk duan të ndërmarrin shumë përgjegjësi.

Edhe pse nuk flenë bashkë çdo natë, nga ana tjetër kjo nuk i pengon të kenë një jetë normale të dashuruarish: të dalin për darka, të shkojnë në kinema, në teatër, në palestër, të shkojnë diku në fundjavë, të kenë miq të përbashkët, apo pse jo të jenë edhe kolegë…

Sekretet e atyre që janë bashkë, por jetojnë të ndarë…
1- Bini dakord që marrëdhëniet e tjera kanë më tepër përgjegjësi
2- Ju nuk jeni të detyruar të frekuentoni eventet që pëlqen partneri juaj
3- Nuk ke përse të shkosh në takime me grupe apo çifte siç bëjnë miqtë e tu
4- Keni ritualin tuaj për puthjen e “mirëseardhjes” kur takoheni në shtëpi, dhe atë të “mirupafshim” kur secili ikën në shtëpinë e vet
5- Ju merr malli më tepër sesa kur jetoni çdo ditë së bashku
6- Mund t’i përgjigjeni pa asnjë problem të gjitha mesazheve apo telefonatave të të tjerëve
7- Zakonisht i thua jo ftesave të miqve apo shokëve, duke gjetur kështu një arsye për të kaluar më shumë kohë së bashku
8- E trajton familjen e tij si familjen tënde (ke respekt sepse rrallë ndodh që takohesh)

Top Channel