Veliaj: Rritet vlera e pronës, rivlerësimi nga rrugët e reja

13/11/2017 14:23

Tre rrugë të reja që lidhin njësinë nr. 3 me atë numër 1 i shtohen kryeqytetit, të pajisura me rrjetin e kanalizimeve dhe që përmirësojnë jetesën e mijëra banorëve të zonës.

“Ka qenë një prej projekteve më të vështira, për shkak të relievit, çështjeve të legalizimit, hipotekimit, me probleme pronash”, tha Veliaj.

Në pjesët anësore të rrugëve janë ndërtuar edhe mure dekorative për t’i dhënë zonës një imazh sa më të plotë.

“Jemi munduar të japim një zgjidhje e cila i ul muret e avllive. Më vjen mirë që jo vetëm shtëpitë kanë dalë në dritë, jo vetëm rrugicat e rrugët kanë dalë në dritë, jo vetëm është shkurtuar rruga për të shkuar nga Shkoza në Porcelan, që më parë duhej të zbrisje poshtë në Rr. “Ali Demi”, por mbi të gjitha është rritur vlera e pronës. Një shtëpi që ka duk, më rrugë të shtruara, që ka ndriçim natën, me kanalizime, që nuk përmbytet, është një shtëpi që vlen më shumë nesër, kur vendos ta shesësh, të investosh apo ta vendosësh si hipotekë në bankë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj premtoi edhe një herë që bashkia do vijojë të punojë me të njëjtin ritëm edhe gjatë pjesës tjetër të mandatit.

Siç e dini, dy vitet e para fokusi ishte te zonat qendrore të Tiranës dhe dy vitet e tjera në zonat kryesisht periferike dhe rurale, për t’u siguruar që Tirana, edhe brenda një mandati, të ecë me të njëjtën shpejtësi, si në qendër, ashtu edhe në zonat e veta më ekstreme. Po të vazhdojmë me këtë ritëm, nga 50 blloqe çdo vit, në kohë rekord do kemi gjithë Tiranën të urbanizuar”, tha ai.

 

Top Channel