Një tërmet i fuqishëm, me magnitudë paraprake 6.5, ka goditur Kosta Rikën gjatë natës, duke tronditur ndërtesat dhe krijuar panik tek banorët.

Ministria për Sigurinë Publike ka deklaruar se deri tani llogariten dy persona të plagosur rëndë, por pa dhënë detaje të tjera mbi ngjarjen.

Ndërsa presidenti Luis Guillermo Solis ka shkruar në Twitter se qeveria është ende duke mbledhur informacione. Gjithashtu, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të përgatiten për lëkundje të tjera.

Energjia elektrike është ndërprerë në disa zona për shkak të dëmtimit të linjave dhe shtyllave. Për momentin nuk ka të dhëna për dëme të tjera në infrastrukturë, por lëkundja ka shkaktuar disa rrëshqitje nga masivët shkëmborë, që kanë bllokuar rrugë të rëndësishme të vendit.

Instituti amerikan për Mbikëqyrjen Sizmologjike ka bërë me dije se lëkundja u lokalizua rreth 10 milje në jug-lindje të qytetit Jako, që ndodhet rreth 60 milje në jug-perëndim të kryeqytetit San Hoze, ndërsa thellësia rreth 12 milje nën tokë.

Top Channel