Tirana, sfida mbi dy rrota. Veliaj: Do shtojmë flotën e biçikletave

07/11/2017 18:58

Ndërsa korsitë e biçikletave po bëhen gati, në fillim të vitit të ri pritet që në kryeqytet të mbërrijë një flotë biçikletash. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, që prej dy ditësh po merr pjesë në Samitin ndërkombëtar të qyteteve, theksoi se sfidat janë të ngjashme si për Tiranën, Barcelonën apo Kajron.

“Sot kemi mbyllur një marrëveshje paraprake për të sjellë një flotë biçikletash në qytetin e Tiranës. Duke nisur nga fillimi i vitit tjetër do të vijnë disa mijëra biçikleta, pasi bashkia të ketë përfunduar rrjetin minimal dhe besoj për një qytet që është bekuar nga Perëndia me mbi 300 ditë diell dhe me një terren të sheshtë është një koncept ideal për të transformuar mënyrën se si qarkullojmë, sidomos me një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe studentësh”, tha Veliaj.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, përveç fondeve për zonat periferike do të planifikohet edhe për fondin e biçikletave. “Me buxhetin e vitit tjetër kemi planifikuar që të shtrojmë jo vetëm korsitë e biçikletave, por edhe blerjet e autobusëve dhe të flotës së biçikletave që do të vijnë në Tiranë”, tha Veliaj.

Një tjetër partneritet me një bashki italaine do të jetë ai për ndriçimin. “Do të vazhdojmë me Bashkinë e Firences projektet konkrete. Jemi në prag të krijimit të një kompanie të përbashkët për ndriçimin publik LED të qytetit, duhet të vendosim edhe një rrjet kamerash për të shtuar sigurinë rrugore, sigurisht edhe për të përballuar fluksin e trafikut që vjen çdo ditë në Tiranë, edhe nga rrethet e tjera, si pasojë e faktit që Tirana ofron shërbime për të gjithë territorin e Republikës dhe për të gjithë qytetarët”, nënvizoi Veliaj.

Nisur nga përvoja e kryeqytetit italian Roma, kryebashkiaku Veliaj do t’i kërkojë Paralamentit shqiptar një ligj të posaçëm për ta stabilizuar nga ana financiare, me qëllim për t’i ofruar më shumë shërbime banorëve të saj.

Top Channel