Princi i kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman ka akuzuar Iranin për “akt agresioni të drejtpërdrejtë ushtarak” ndaj vendit të tij, për shkak se ka furnizuar me raketa rebelët në Jemen.
Ky “mund të konsiderohet edhe si akt lufte”, citohet të ketë thënë princi, i cituar nga media shtetërore, gjatë një bisede telefonike me Sekretarin e Jashtëm britanik, Boris Johnson.
Të shtunën, një raketë balistike u godit në ajër mbi kryeqytetin saudit, Rijad. Irani ka mohuar të ketë furnizuar me armë lëvizjen “Houthi”, me rebelët që luftojnë koalicionin e udhëhequr nga sauditët që mbështet qeverinë në Jemen.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif tha të hënën se “luftrat agresive” dhe “bullizmi rajonal” i Arabisë Saudite po kërcënonin rajonin e Lindjes së Mesme.
Media e lidhur me rebelët “Houthi” raportoi se ata kishin lëshuar një raketë balistike “Burkan H2” drejt Aeroportit ndërkombëtar “Mbreti Khaled”, që ndodhet rreth 850 km larg kufirit me Jemenin, si dhe 11 km në verilindje të Rijadit, mbrëmjen e së shtunës.
Ndërsa media saudite raportoi se sistemi i mbrojtjes antiraketore në vend e kishte goditur në fluturim raketën, edhe pse disa copëza të saj kishin rënë brenda perimetrit të aeroportit. Gjithsesi, asnjë i vdekur nuk u raportua.
Top Channel