Demokratët i braktisën të gjitha komisionet parlamentare duke mos u bërë pjesë e diskutimeve për buxhetin e ri.

Por, praninë në Komisionin e Ligjeve demokratët e përdorën për të dhënë një informacion tjetër në lidhje me arrestimi e Orest Sotës në Elbasan, që është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgjeve, por që policia s’e ka bërë publike.

“Edhe policia edhe qeveria po ashtu e kanë fshehur që ka qenë furgoni i policisë së burgut që ka ndërhyrë për arrestimin e biznesmenit”, deklaroi Eduard Halimi.

Duke marrë shkas nga çështja “Tahiri”, demokratët në të gjitha komisionet fajësuan qeverinë si të lidhur me krimin dhe besojnë se asgjë tjetër nuk mund të trajtohet si normalitet politik.

Dimri që po vjen, mesa duket do të jetë edhe stinë protestash.

“Perandoria do të rrëzohet në mënyrën më demokratike të mundshme, me protesta dhe revolucion popullor”, tha deputeti Flamur Noka.

Flamur Noka la të kuptohet se vendimarrja nuk do të jetë e largët.

“Partia Demokratike ka institucionet që do të vendosin afatet, datat dhe strategjinë. Një gjë ju them me siguri; kjo qeveri i ka ditët e numëruara sepse nuk është qeveri e shqiptarëve, por është qeveri e krimit, trafikut dhe bandave. Në këtë aksion kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel