Për një periudhë dyjavore, avionë të vegjël do të shpërndajnë nga ajri vaksinën për imunizimin e dhelprave, që janë burimi kryesor i përhapjes së sëmundjes së tërbimit.

Ministria e Bujqësisë thotë se metoda e mbështetur nga Bashkimi Europian garanton vaksinim të sigurtë.

Do të jenë katër avionë të vegjël, të specializuar dhe pajisur me teknologji moderne për të shpërndarë vaksinat e prodhuara posaçërisht për dhelprën e kuqe. Shpërndarja e vaksinës do të nisë të martën dhe do të kryhet nga ajri, ku avionët e vegjël do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine të lëngët që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat.

Vaksinat karrem do të shpërndahen përgjatë një periudhë 12 ditore në të gjithë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore.

Ministria apelon për të gjithë personat që gjatë kësaj periudhe apo dhe më vonë mund të shikojnë vaksina karrem, janë të lutur të mos i prekin, hapin apo japin kafshëve të tyre, pasi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre.

Avionët e vegjël do të shpërndajnë në mënyrë të automatizuar 20 vaksina për kilometër katror dhe gjatë gjithë fushatës do të shpërndhen në total 560,000 vaksina karrem.

Ky proces zhvillohet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë.

Top Channel