Habilajt dalin gjyq, avokatët: Emri i Tahirit nuk del në dosje

31/10/2017 15:03

Gjykata e Katanias mori në shqyrtim ankimimet e bëra nga 6 prej 7 të arrestuarve të të ashtuquajturit “Grupi Habilaj”, mbi të cilët rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ata u arrestuan në aksionin e quajtur “Venti Dei Rosi”. I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Katania të Moisi Habilajt.

Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve. Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie Moisi Habilaj, i dyshuari si kreu i grupit të trafikut ndërkombëtar është paraqitur përpara tre gjyqtarëve Iarato, Benanti dhe Catena.

Në Gjykatën e Katanias ne takuam avokatët e Habilajve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Top Channel: Klienti juaj është pjesë e hetimeve të dosjes së ashtuquajtur “Habilaj” në Shqipëri. Cili është roli i tij në këtë cështje, cfarë tha prokuroria?

Vicenza Pirracchio, avokate: Klienti ynë akuzohet si pjesëmarrës në këtë grup. Ne mendojmë se nuk ka elementë për të mbështetur akuzën edhe pse nuk mungojnë kontaktet mes klientit tonë dhe subjekteve të tjera, qofshin ata italianë apo me prejardhje shqiptare, që mund të mbështesin akuzat e ngritura ndaj tij. Ndaj besojmë se urdhëri mund të anulohet.

Top Channel: Duke parë hetimet e bëra nga Guardia Di Finanza6, rezulton të jetë një grup kriminal, nuk po flas për klientin tuaj, por në total për grupin?

Avokatja Pirracchio: Sigurisht që kanë qënë akuzat ndaj organizatës dhe sekuestrove të shumta të bëra ndër vite për posedim të lëndëvë narkotike, sikurse edhe sekuestro të armëve, gjë që të bën të mendosh për një organizatë që merret si me mbjellje, kultivim por edhe me transport.

Avokati i Moisi Habilajt thotë se kërkoi lirimin e klientit të tij.

Top Channel: Avokat, sapo ka mbaruar seancë dëgjimore për klientët tuaj.

Avokati Maurizio Catalano: Ne kemi kërkuar anullimin e urdhërit pasi sipas mendimit tonë, nuk ka prova të mjaftueshme (të mëdha). Gjithsesi jemi në një fazë paraprake për të bërë një parashikim.

Top Channel: Seanca ishte për tre klientët tuaj, Moisi Habilaj, Meridian Sulaj dhe Fatmir Miraj?

Avokati Catalano: Po.

Top Channel: Çfarë tha prokuroria, sipas jush?

Avokati Catalano: Prokuroria kërkoi që të konfirmohet urdhri për mbajtjen e tyre në burg, ndërsa ne kërkuam anulimin për mungesë provash. Kjo është pikënisja ndaj s’mund të themi saktësisht se si do të shkojnë gjërat. Vetë urdhri i ndalimit, për të cilin besoj se jeni në dijeni sepse është publikuar, mendoj se është maja e ajsbergut, përmbledhje e një fashikulli të tërë dosjesh voluminoze hetimesh, të cilën unë vetë nuk kam patur kohë të konsultohem. Por në këtë fazë, faza e parë së paku këtu në Itali, është ajo për t’ju drejtuar Gjykatës së Lirisë, për të pasur nëse së paku një prej pozicioneve, nga ky moment, mund të lëshohet dhe t’i rikthehet liria së paku ndonjërit.

Top Channel: Klientëve tuaj?

Avokati Catalano: Unë kam besim, kam shpresë të moderuar për lirimin nga burgu, në mos të të gjithëve, së paku të disave.

Top Channel: Në Shqipëri është bërë lajm, sepse është përfshirë edhe emri i një ish-ministri….

Avokati Catalano: Shiko, mua s’më rezulton kështu. Atëherë, për këtë figurë, për ish-ministrin më kanë folur të tjerët, por jo aktet. Mua nga aktet nuk më rezulton as edhe një presje. Ndaj objektivisht duhet të flas për një gjë që e kam dëgjuar nga jashtë procesit dhe jo brenda procesit. Mua s’më ka ndodhur ta takoj asgjëkundi, nuk ekziston të paktën nga aktet që kam konsultuar unë. Por më duhet ta rithem, bëhet fjalë për një pjesë shumë të vogël të përmbledhjes, më pas në pjesën tjetër nuk e di se çfarë mund të ketë. Deri në këtë pikë, mua s’më rezulton asgjë për ndonjë autoritet politik apo ndonjë tjetër.

Tashmë Gjykata e Katanias brenda 48 orëve, do duhet të shprehet lidhur me fatin e të arrestuarve. Prokuroria e Katanias njoftoi arrestimin në Shqipëri të Nezar Seitit dhe bën të ditur se i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare informacione dhe materiale në lidhje me këtë person. Informacionet janë dërguar edhe gjatë aksionit kur u kap një sasi prej 4 tonësh hashash.

Top Channel