Shefi i krimeve në Sarandë u dhunua nga komando i ushtrisë dhe truprojat e klubit të natës, Gjykata lë në burg 6 të akuzuarit

20/08/2026 15:50

Është mbajtur masa e sigurisë për të arrestuarit e sherrit të ndodhur në lokalin Orange në Sarandë, ku u dhunua shefi i krimeve të komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Bakalli kishte ndërhyrë për të parandaluar konfliktin mes dy rojeve të lokalit dhe disa shtetasve. Edhe pas ndërhyrjes së tij personat e pranishëm nuk e kanë ndaluar përplasjen fizike, madje kanë sulmuar edhe shefin Bakalli gjatë përplasjes, i cili ka njoftuar shërbimet e policisë për ndihmë.

Gjykata vendosi arrest me burg për 4 bodigardët e po ashtu burg edhe për dy të tjerët. Mes tyre Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr.

Kujtojmë se në pranga u vunë Marjo Katiraj, 35 vjeç; Elgent Ndoj, 38 vjeç; Faik Hoxha, 35 vjeç; Indrit Cullhaj, 34 vjeç; Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr; dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur 28-vjeçari Pjetër Doçi.

Shkëlzen Licaj ka qenë gjyqtari i gatshëm që ka mbajtur masën e sigurisë, ndërsa prokuroria e përfaqësuar nga prokurore Hava Memko, ka kërkuar qëndrimin në burg për të ndaluarit, raporton korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi.

Njoftimi i Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u dha masa e sigurisë ‘Arrest me burg’ për gjashtë shtetasit A.K., B.S., E.N., F.H., I.Ç., dhe M.K. të akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 237/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr. 594, datë 17.08.2026, nisën pasi më datë 16.08.2026, në orët e para të mëngjesit Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, shtetasi M. B., ndërhyu për neutralizimin e një konflikti mes punonjësve të sigurisë së klub “Orange”, Sarandë, të cilët ishin duke goditur disa shtetas.

Pavarësisht se ky shtetas kur u afrua u prezantua se ishte Shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ai u godit nga punonjësit e sigurisë.

Me vendimin datë 19.08.2026, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës se sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 k.Pr.Penale për gjashtë shtetasit e arrestuar.

 

Top Channel