“Ditët e Mios” në Korçë

30/10/2017 15:15

Është zhvilluar për të 10-tin vit rradhazi në Korçë kolonia ndërkombëtare e piktorëve ‘Ditët e Mios’.

20 piktore nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia dhe vende të tjera të Ballkanit janë bërë pjesë e ekspozitës me punimet e tyre në gjininë e peizazhit.

Artistët fillimisht kanë vizituar Korçën dhe rrethinat përreth, për të hedhur më pas në telajo individualitetin e tyre përmes tematikave të ndryshme duke u ndalur në peizazhin e Dardhës, Boboshticës dhe qytetit të Korçës, dikur vende frymëzuese edhe për piktorin e popullit Vangjush Mio.

Për piktorët Korça mbetet një vend për t’u eksploruar për pasurinë që mbart, e cila është mjaft frymëzuese për të ushtruar talentin e tyre.

“Falënderoj organizatorët që na bënë pjesë të këtij aktiviteti. unë jam shumë i kënaqur se këtu ndjen shumë ndjenja pozitive, Korça është shumë e bukur e shpresoj të kaloj një kohë të bukur këtu”, tha piktori grek Evangelos Kumbis.

Për Bashkinë e Korçës ky aktivitet është kthyer në një traditë që mban lart emrin e piktorit të madh Vangjush Mio.

“Dimensionin ndërkombëtar që bashkia e Korçës prej vitesh tashmë u jep aktiviteteve kryesore ka një mision, ka misionin e promovimin e Korçës e ku ka ambasadorë më të mirë se sa këta artistë që vijnë e shohin Korçën nga afër, marrin emocionet, pjesën njerëzore të kolegëve të qendrës së artit e kulturës të cilët me shumë dashamirësi e profesionalizëm i shoqërojnë”, thotë Benila Themeli, nën kryetare e Bashkisë Korçë.

Për organizatorët ky event është konsideruar si ndër më të rëndësishmit që ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore e artistike të Korçës.

Top Channel