Kalivaçi, shpallet fituesi i HEC-it që zvarritej prej 20 vitesh

29/10/2017 15:19

Pas 20 vitesh zvarritjeje, hidrocentali i Kalivaçit duket se po shkon më në fund drejt realizimit. Ministria e Energjisë njoftoi se ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të hidrocentralit që kushton 125 milionë euro.

Në tenderin ndërkombëtar u paraqitën ofertues. Ato ishin shoqëria “Doko Sh.p.k.”, bashkimi i kompanive “Gener 2” dhe “Favina”, si dhe konsorciumi i kompanisë turke “Ayen Enerji” me atë shqiptare “Fusha Sh.p.k.”. Pas hapjes së ofertave, Ministria ka shpallur fitues pikërisht konsoricumin “Ayen enerji”-“Fusha”.

Ministria thotë se ndërtimi i hidrocentralit në lumin e Vjosës do të zgjasë dy vite e gjysmë. Ai do të ketë një fuqi të instaluar prej 120 megash dhe do të prodhojë 366.6 milionë kilovat/orë energji në vit.

Saga e hidrocentralit të Kalivaçit ka nisur plot 20 vite më parë, kur u dha me koncesion nga qeveria e atëhershme te një kompani italiane e zotëruar nga biznesmeni Francesco Becchetti. Por projekti nuk u finalizua asnjëherë, edhe pse afati i tij u shty tri herë.

Dy vite më parë, kompania italiane e paditi qeverinë shqiptare në Arbitrazh. Ajo pretendon se faji për mosndërtimin e hidrocentralit është i shtetit shqiptar, ndërkohë që qeveria thotë se faji është i kompanisë, e cila për 20 vite, jo vetëm që nuk e përfundoi hidrocentralin, por ka kryer vetëm punime minimale.

Gjyqi vazhdon, por sipas Ministrisë, të dyja palët kanë pranuar se kontrata e koncesionit tashmë ka përfunduar. Rrjedhimisht, vitin e kaluar, shteti shqiptar vendosi ta rihedhë sërish në tender hidrocentralin.

Top Channel