Ambasadori spanjoll në Athinë, Enrique Viguera, në një intervistë të tij dhënë gazetës së të dielës, “Eleftheros Typos” kritikon qëndrimin e qeverisë greke përsa i përket krizës politike në Katalonjë.

“Athina ka munguar në mbështetjen për unitetin e Spanjës”, ka thënë midis të tjerash ambasadori Viguera, duke theksuar se qeveria e “Syriza”-s, në kontrast me qeveritë e tjera europiane nuk ka bërë asnjë deklaratë kundër përpjekjes së Katalonjës për ndarjen nga Spanja.

“Kam dëgjuar deklarata të qarta nga presidenti grek, që mbështet unitetin e Spanjës, por jo nga qeveria. Nuk duhet përpjekje e madhe të kuptojë dikush realitetin”, nënvizon ai.

Gjithashtu, ai ka kritikuar edhe incidentin kur grupi anarkist grek i ashtuquajtur “Rubikonet” ka hyrë me forcë në Ambasadën e Spanjës në Athinë, pas akteve të dhunshme të policisë spanjolle ditën e zhvillimit të referendumit në Katalonjë, duke e quajtur një ngjarje të paprecedentë, si në asnjë vend të BE-së, dhe tepër të egër.

Ndërkohë, ambasadori spanjoll ka deklaruar gjithashtu në gazetën opozitare se, përkundrazi, është tepër i kënaqur me qëndrimin e kreut të konservatorëve grekë, Kyriakos Mitsotakis, partia e të cilit ka shprehur që në fillim mbështetjen ndaj Madridit, duke u pozicionuar kundër ndarjes së Katalonjës.

Orët e fundit, edhe Jorgos Koumoutsakos, kreu për Politikën e Jashtme i Partisë “Demokracia e Re”, me një deklaratë për shtyp pyet qeverinë “Tsipras” nëse ka apo jo një qëndrim zyrtar për ndarjen e Katalonjës nga Spanja, e nëse njeh apo dënon përpjekjen për ndarje, pasi heshtja, sipas konservatorëve grekë, ekspozon negativisht Greqinë në arenën ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel