Sipas kryeministrit Edi Rama, ulja e taksave për hotelet e reja ishte e domosdoshme, pasi Shqipëria nuk po e përballon dot rritjen e lartë të turistëve nga jashtë.

“Dhe për të dytin vit radhazi oferta është 25% më e ulët sesa kërkesa. Pra, sot që flasim kemi nevojë për 25% më shumë kapacitete akomoduese”, deklaroi Rama.

Nga 1 janari, hotelet e reja me 4 dhe 5 yje që ndërtohen rishtaz do të përjashtohen për dhjetë vjet nga tatim-fitimi. Paralelisht, atyre u hiqet taksa e infrastrukturës dhe do të kenë një shkallë të reduktuar TVSH-je 6%.

“Synimi është tepër i qartë. Turizmi ka ecur shumë mirë në këndvështrimin tim. Viti 2016 shënoi një rekord historik me 1.5 miliardë euro të ardhura. Këtë vit unë besoj se do të shkojmë në 1.7 miliardë euro”, u shpreh ministri Ahmetaj.

Përmes lehtësive tatimore, qeveria shpreson të tërheqë më shumë investime në turizëm, veçanërisht nga kompanitë e mëdha të huaja.

“Investimet e huaja janë domosdoshmëri jetike dhe sot përbëjnë prioritetin e prioriteteve tona”, theksoi Rama.

Por, lehtësitë tatimore nuk janë oferta e vetme që qeveria ka për biznesin. Paralelisht, kryeministri tha se investimet do të nxiten edhe nga reforma e derregullimit, e cila thjeshton procedurat dhe ul kostot për biznesin.

Top Channel