Nuk është një portal; është www.top-channel.tv

Pas pesë vitesh me faqen më të ndjekur të informacionit në Shqipëri Top-Channel.tv, bën një ndryshim në imazhin e saj grafik, por edhe përmbajtësor, duke sjellë më afër lexuesin e duke ju përshtatur më mirë teknologjisë së kohës.

“Top Channel nuk shmanget asnjëherë nga zhvillimet teknologjike. Edhe faqja e re është pikërisht kështu. Aktualisht është një faqe kryesore e Top Channel, e cila ka të ndërlidhura edhe katër ndërfaqe të tjera. Bëhet fjalë për faqen e Sportit, është faqja e Pop News, më pas është e kompletuar me gjithë programet dhe detajimin për çdo program të Top Channel, gjithashtu i është krijuar edhe hapësirë e mjaftueshme videoje”, thotë Elert Yzeiri, Departamenti i Teknologjisë dhe Komunikacionit.

Kategoritë e ndryshme do të funksionojnë në formën e nënfaqeve brenda faqes së madhe së Top Channel. Hapësira kryesore i takon informacionit, duke e mbajtur të parin atë për lexuesin, e më pas çdo kategori ka një dizajn të vetin.

“Jemi munduar të sjellim një faqe të pastër, ku rëndësi do të ketë informacioni dhe fotografia dhë më pak hapësirë për marketingun dhe synojmë gjithashtu të afrohen akoma më shumë lexuesit në këtë faqe për të gjitha kategoritë, për gjithë grupmoshat, pa bërë dallime të tyre dhe ajo që është më e rëndësishmja të jetë sa më e lehtë në përdorim”, shprehet Yzeiri.

Faqja është e përshtatur shumë mirë për versionin e desktop dhe mobile, me një përdorim të thjeshtë dhe të këndshëm vizualisht.

Top Channel