Zyra e Ramës: Kryeministri nuk intimidon Prokurorinë

23/10/2017 11:28

Pas deklaratës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka reaguar zyra e kryeministrit, duke theksuar se Rama nuk është përpjekur të initimidojë organin e akuzës, por ka dhënë opinionin e grupit parlamentar bazuar në raportin e Komisionit të mandateve.

“Ai shpreh po ashtu keqardhjen, që organi i akuzës pretendon se ka konstatuar përpjekje për intimidim në fjalën e mbajtur sot prej tij. Në fakt, kreu i qeverisë dhe lideri i shumicës parlamentare, vetëm ka dhënë opinionin e grupit parlamentar, bazuar në raportin e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe, padyshim, në paraqitjen aspak serioze prokurorisë në seancat publike të atij komisioni”, thuhet në deklaratë.

 

Rama thotë se detyra e prokurorisë nuk është të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër. “Po ashtu organi i akuzës, sipas kryeministrit, as ka detyrën dhe as i’a lejon etika e funksionit të vet, të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike”, thuhet në një deklaratë të kryeministrisë.

 

Rama përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut.

 

“Duke nxitur një hetim sa më të shpejtës, serioz dhe shterrues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin, si edhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, kryeministri i Shqiperisë i uron këtij organi punë të mbarë”, përfundon deklarata.

Top Channel