Kosova në zgjedhje, kush pritet të fitojë e të humbasë

18/10/2017 23:22

Mbi 1.8 milion qytetarë të Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të dielë, për të zgjedhur 38 kryetarët e komunave që do t’i drejtojnë në 4 vitet e ardhshme.

Por këto zgjedhje, për analistin Imer Mushkolaj do të ndikohen nga rezultati i 11 qershorit.

“Klima e zgjedhjeve pas 11 qershorit do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 23 tetorit, duke pasur parasysh dyfishimin e votës për lëvizjen Vetëvendosje, e cila mund të quhet votë e ndëshkimit për partitë që kanë qenë në pushtet, edhe pse PDK vijon të jetë në koalicionin qeverisës. Por mund të ketë ndryshime edhe në partitë e tjera ndaj partive tradicionale, që dinë të mbajnë pushtet pa shtet në komuna të caktuara”, thotë Mushkolaj.

Për Artan Muhaxhirin, koalicionet që do të formohen pas raundit të parë do të kenë vetëm një synim. “Në balotazh mendoj se do ketë koalicione të sigurta kundër lëvizjes Vetëvendosje, pasi PDK-së, AAK-së dhe LDK-së nuk iu leverdis rritja e Vetëvendosjes, pasi nuk e shohin si aleate potenciale”, thotë Muhaxhiri.

Ndërsa Naim Rashiti ndalet tek cilësia e fushatës dhe politizimi i madh i saj. “Qytetarëve nuk u interesojnë premtimet e mëdha, partitë janë në kërkim të problemeve të vogla. Por fushata është e profilit të madh. Liderët, subjektet që nga Kuvendi kanë hyrë në zgjedhjet lokale lënë fare pak hapësirë për fushatë dinjitoze për çështjet lokale”, nënvizon Rashiti.

Top Channel