Një asteroid me përmasat e një shtëpie do të kalojë shumë pranë Tokës këtë të premte dhe siç shpjeguan shkencëtarët e NASA-s, nuk ka asnjë rrezik përplasjeje.

Përkundrazi, NASA thotë se episodi do t’i ndihmojë ata të testojnë sistemin e paralajmërimit nga asteroidët. Një rrjet global teleskopësh do të monitorojë afrimin e objektit të konsideruar mjaft interesant.

Megjithatë, nëpër forumet konspirative kanë nisur të qarkullojnë teoritë e fundit të botës, që e lidhin këtë asteroid me atë që njihet si “E premtja 13”, kur kalendari shënon datën “13” dhe dita është e premte.

Megjithatë, edhe në skenarin më të keq, pra nëse asteroidit TC4 i zbuluar në vitin 2012 do të përplasej në Tokë do të shkaktonte vetëm dëme të konsiderueshme dhe jo fundit e planetit.

Por, kërcënimi i vërtetë, sipas konspiracionistëve është asteroidi 99942 Apophis, që sipas tyre do të kalojë në një distancë poshtë satelitëve artificialë dhe me një gjerësi prej 320 metrash që ka, është i mjaftueshëm për të zhdukur atmosferën e Tokës.

Ajo që “bind” më shumë konspiracionistët është që sipas përllogaritjeve edhe ky asteroid do të kalojë për ditë të premte dhe po në datë 13, por të vitit 2029.

Top Channel