Rama: PD i është rikthyer çadrës

12/10/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama tha se Partia Demokratike i është rikthyer axhendës së para zgjedhjeve, kohës kur protestonte në çadër.

“E përdorin lirinë për t’u ankuar për mungesën e saj, në vend që ta përdorin për axhendën e tyre, që fatkeqësisht është e njëjta axhendë që ishte para zgjedhjeve, me ndryshimin që jemi në sallën e Kuvendit dhe jo në çadër. Është rihapur çadra, është rikthyer gramafoni i para  zgjedhjeve, që shqiptarët e bënë copë e çikë më 25 qershor. Është një opozitë pa kokë, pa skuadër, pa përgjegjësi dhe nuk merr dot përgjegjësi”, deklaroi Kryeministri.

Rama foli pas mbylljes së seancës së Kuvendit nga Gramoz Ruçi, pasi Flamur Noka i përjashtuar nga kryetari i Kuvendit, refuzoi të largohej nga salla.

“Jemi në një pozitë të vështirë, nuk po ja dalim dot që të arrijmë në momentin kur opozita të bindet që parlamenti klub të dehurish sic ishte për katër vjet ka vdekur më 25 qershor dhe ky Parlament i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit funksionon në bazë të rregullave të shkruara bashkarisht, të miratuara bashkarisht me përfshirjen nga ana jonë kur erdhëm në qeveri të një rregulli që aq herë sa flet kryetari i shumicës, flet kryetari i opozitës me të njëjtin minutazh. Do apo nuk do opozita, Parlamenti do të funksionojë sipas këtij rregulli të shkruar bashkarisht”, u shpreh Rama. 

Top Channel