Super pagat e vettingut, tërhiqet qeveria. Rriten me 50 për qind

09/10/2017 00:00

Përveç pagës që ligji organik për vettingun u njeh të gjithë anëtarëve të Komisioneve të Vettingut, me një vendim qeveria i akordon atyre edhe një shtesë prej 50% të pagës, për vështirësi pune.

Ky është një mjet ligjor i qeverisë për të nxitur fillimin e menjëhershëm të punës, duke bërë që efektet financiare 113 njerëzit që do të bëjnë vettingun e sistemit të drejtësisë t’i ndjejnë menjëherë.

“Këshilli i Ministrave mori një vendim të rëndësishëm për përcaktimin e pagesës shtesë të të gjithë anëtarëve të institucioneve rivlerësimit, duke i akorduar kështu, shumën shtesë në masën 50% të pagesës mujore të përcaktuar me ligj. Me vënien në dispozicion të godinave dhe infrastrukturës, me miratimin e strukturës, si dhe me shtesën e pagës që ju bë sot të gjithë anëtarëve të komisioneve të Vetting-ut, institucionet e reja janë gati të fillojnë nga procesi, po që sot”, deklaroi këtë të hënë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Kështu, anëtarët e këtyre komisioneve do të paguhen duke iu referuar pagës G3 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, konkretisht njësoj si gjykatësi që ushtron funksionin në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Kështu, anëtarët e këtyre komisioneve nga 302 mijë lekë të reja në muaj do të marrin 453 mijë lekë, ndërsa këshilltarët juridikë dhe financiarë të komisionerëve të vettingut do përfitojnë rreth 80% të pagës së titullarëve. Shtesa prej 50% e pagës së tyre ishte një propozim i Ministrisë së Financave dhe Drejtësisë.

Struktura e organeve të vettingut:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, 37 punonjës;

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 50 punonjës;

Komisioneri Publik, 26 punonjës.

Top Channel