Al-Baghdadi, gjallë apo i vdekur?

29/09/2017 00:00

Është gjallë apo ka vdekur? Militantët e Shtetit Islamik kanë publikuar një regjistrim audio të udhëheqësit të tyre, Abu Bakr al-Baghdadi, i deklaruar disa herë i vdekur, e në muajin qershor kjo u pohua me të madhe nga zyrtarët rusë, ndërsa ata amerikanë u treguan skeptikë.

Zëri në regjistrim tingëllon shumë si ai i udhëheqësit të Shtetit Islamik, i cili iu referohet në fjalën e vet edhe kërcënimeve të fundit koreano-veriore ndaj Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa përmend edhe betejat për fortesa të ISIS-it, si Mosuli i rimarrë nga ushtria irakiane në muajin korrik.

Për ndjekësit e grupit ekstremist, ai ka si gjithmonë edhe një thirrje.

“Ushtarë të kalifatit dhe heronj të Islamit. Mbajtës të flamurit dhe kalorës të fushave. Nxisni flakët e luftës kundër armiqve tanë, drejtojuani atyre dhe rrethojini pa rrugë shpëtimi. Jini të qëndrueshëm, sepse Zoti do t’iu japë fitoren nëse tregoni durim. Të krishterët dhe kurdët e pafè janë shumë të përçmuar për të qëndruar përballë jush, nëse forca e tyre kryqtare ajrore do të mungonte qoftë edhe një orë”, thotë zëri i ngjashëm me atë të al-Baghdadit.

Al-Baghdadi, mbi kokën e të cilit Uashingtoni ka vënë një shpërblim prej  25 milionë dollarësh, nuk është parë më në publik që prej korrikut të vitit 2014, duke bërë që spekulime të shumta të rrethojnë përgjatë të gjithë kësaj periudhe fatin e tij.

Shfaqja e fundit e tij ishte gjatë predikimit në xhaminë e madhe “al-Nuri” në Mosul, pasi ISIS-i pushtoi qytetin dhe u bë shpallja e kalifatit. I pyetur mbi regjistrimin audio, zëdhënësi i forcave amerikane që luftojnë Shtetin Islamik, Ryan Dillon u shpreh se pa një provë të besueshme të vdekjes së Al-Baghdadit duhet të prezumojmë në vazhdimësi se ai është gjallë.

Top Channel