Sheshi “Skënderbej” në Bienalen e Arkitekturës në Çikago

16/09/2017 00:00

Projekti i sheshit Skënderbej në Tiranë u bë pjesë e Bienales së Arkitektures në Çikago, ku u përfaqësuan projekte të shteteve të ndryshme të botës.

Projektin e sheshit e prezantoi Erjon Veliaj, në një pavion të veçantë ku përfaqësohej Shqipëria dhe merrnin pjesë 140 arkitektë dhe urbanistë nga 20 vende të botës.

Arkitektura e projektit u konsiderua unike, ndërsa u vlerësua impakti i tij për transformimin e qytetit. Kryebashkiaku e cilësoi këtë prezantim një mundësi shumë të mirë që Tirana të krenohet.

“Kjo është hera e parë që Tirana është në një institucion kaq prestigjioz sa Bienalja e Çikagos, një mundësi fantastike për t’u krenuar me një nga projektet e këtyre dy viteve të fundit që është sheshi “Skënderbej”. Në thelb ky projekt është suksesi i një përpjekje 10-vjeçare që nisi me Edi Ramën dhe skuadrën e asaj kohe në Bashki, me dëshirën për të pasur një zonë pedonale, aty ku ka qenë zona më e ndotur dhe rrethrrotullimi me trafikun më të dendur të makinave. Ky ishte një projekt i cili u pengua prej politikës, por më në fund u realizua në dy vitet e fundit nga administrata e re e Bashkisë, për të përfunduar në fakt ëndrrën 100-vjeçare të konceptimit të sheshit “Skënderbej”, në magjinë e plotë që sot është kthyer në një “agora”, pra në një shesh ku të gjithë ndihen në një hapësirë demokratike”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se vlerësimi i marrë në Çikago do t’i japë shtysë bashkisë së kryeqytetit për investime të tjera transformuese. Ndërkohë, drejtori artistik i Bienales, Mark Lee e cilësoi sheshin “Skënderbej” një ndër projektet më të veçanta.

“Një ndër ekspozimet më të veçanta dhe shumë i rëndësishëm për ne ishte ai i sheshit “Skënderbej” në Tiranë, i udhëhequr nga 51 arkitektë, së bashku me Anri Salën. Mendoj se mënyra e konceptimit të këtij sheshi nuk ka vetëm një domethënie arkitekturore, por është i rëndësishëm edhe për nga eksperienca dhe lidhjet ndërfetare, për të dizenjuar procesin se si njerëz të ndryshëm të kombeve të ndryshëm kanë rol përcaktues në dizenjimin e këtij sheshi. Është një mesazh shumë i rëndësishëm nga i cili komuniteti ndërkombëtar mund të mësojë”, u shpreh Mark Lee.

Bienalja e Arkitekturës në Çikago cilësohet si një ndër evenimentet më prestigjoze në Amerikë, por edhe në botë për arkitekturën. Rekordi i pjesëmarrjes atje u shënua në vitin 2015, kur u vizitua nga më shumë se gjysmë milion njerëz.

Top Channel