Senatorët USA në selinë e PD, Paloka: Shqipëria, nën diktat kriminal

12/08/2017 00:00

Katër senatorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Roy Blunt, John Cornyn, Tom Cotton dhe Thom Tillis zhvilluan një takim edhe me përfaqësues të Partisë Demokratike, me të cilët diskutuan mbi aktualitetin politik në vend.

Sipas një njoftimi për shtyp të PD, gjatë takimit nënkryetari Edi Paloka i njohu senatorët me “faktin” se prej katër vitesh Shqipëria është nën diktatin e një qeverisjeje të kapur nga interesa të ngushta kriminale.

“Një qeveri, e cila ka mbështetur dhe është implikuar drejtëpërsëdrejti në kanabizimin e vendit. Me fitimet kolosale të trafikimit të kanabisit është financuar dhe blerja masive e votës anembanë vendit në zgjedhjet e 25 qershorit”, tha Paloka.

Paloka citoi raportet ndërkombëtare, si atë të Departamentit të Shtetit, por edhe mediat ndërkombëtare që i kanë dhënë të drejtë shqetësimeve të opozitës shqiptare.

“Krimi i organizuar dhe rritja e trafikimit të drogës është bërë nën bekimin politik. Qeveria ështe njësh me krimin e organizuar, duke angazhuar me kohë të plotë dhjetëra individë me rekorde kriminale, përfshirë dhe kandidimin e tyre”, theksoi Paloka.

Ai u shpreh më tej se, “zgjedhjet e 25 qershorit treguan më së miri se fenomeni i shit-blerjes së votës është tashmë masiv, se paratë e krimit e të drogës blejnë pushtetin, e pushteti mbahet duke lejuar krimin dhe drogën”.

“Dhe ky nuk është më një shqetësim kombëtar, por po cënon sigurinë e rajonit, ashtu siç dhe theksoi prokurori italian Roberti pak ditë më parë, vuri në dukje Paloka.

Ai u rikonfimoi senatorëve amerikanë se Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë për një Shqipëri demokratike dhe një qeverisje totalisht të shkëputur nga interesat kriminale e korruptive, duke mbështetur integrimin europian dhe forcimin e shtetit ligjor.

“Në këtë drejtim, kontributi amerikan do të ngelet jetik, duke dalë gjithmonë në krah të vlerave euro-atlantike të vërteta”, tha Paloka.

Top Channel